Kryetari i Zveçanit: Është e pamundur që të vazhdohet puna në Komunë për shkak të situatës

Kryetari i Komunës së Zveçanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Peci ka thënë se arsyeja e nisjes së punës në zyrën për komunitete në fshatin Lipë është për shkak të situatës së krijuar në Zveçan.

Ai për Tëvë1 ka deklaruar se është e pamundur që të vazhdohet puna në Komunën e Zveçanit, teksa shtoi se e kanë parë të arsyeshme që punën sot ta fillojnë në zyrën për komunitete në fshatin Lipë.

“Arsyeja pse kemi filluar punën sot këtu në këtë zyre është për shkak të situatës e cila është në Komunën e Zveçanit e pamundur për me shku me vazhdu punën tonë, kështu që e kemi parë të arsyeshme sot të fillojmë këtu”, ka thënë Peci.

Peci në një prononcim për Tëvë1, ka folur edhe për takimin e djeshëm me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier në Zyren e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

I pyetur se nisja e punës në zyrën për komunitete në Lipë a ka qenë kërkesë e ambasadorit amerikan, Hovenier, në takimin e djeshëm, ai e ka mohuar, teksa ka thënë se kërkesa e ambasadorit amerikanë ka qenë që të ketë paqe e stabilitet dhe të mos ketë dhunë.

“Jo, nuk ka qenë kërkesë, kemi pasur takime mirëpo nuk ka qenë kjo kërkesë e ambasadorit amerikanë”, u shpreh Peci për Tëvë1.

“Kërkesa e ambasadorit ka qenë që të kemi paqe, të kemë stabilitet,të mos ketë dhunë”, shtoi ai.

Kurse, sa i përket çështjes së sigurisë në Zveçan, Peci deklaroi se janë në koordinim vazhdimisht me Policinë e Kosovës, duke thënë se situata në qendër të Zveçanit nuk është edhe aq e mirë për momentin.

Tutje, kryetari i Zveçanit ka folur edhe për shoqërimin e tij nga Policia e Kosovës, ku u shpreh i gatshëm që kur të krijohen kushtet ta vazhdojë punën në zyre në Komunën e Zveçanit.

“Ne jemi të gatshëm që kur të krijohen kushtet për me vazhdu punën në zyre dhe për atë kemi ardhur, e kemi marrë këtë detyrë”, theksoi Peci.

Peci ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka pasur bisedë telefonike edhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ndryshe, betimi i kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci, atij të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe të parit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka bërë që situata në këto tri komuna veriore të jetë e tensionuar.

Që nga dita e premte, qytetarë të shumtë serbë kanë protestuar para këtyre tri objekteve komunale, teksa dje pati edhe sulme të dhunshme ndaj KFOR-it, si dhe ndaj gazetarëve, teksa edhe vetura e ekipit të Tëvë1 fillimisht është dëmtuar pasaj edhe është djegur nga protestuesit serb.

Gjatë protestave të dhunshme të hënën në tri komunat veriore, rreth 25 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga përleshja me protestuesit serb në Zveçan, kjo pasi serbët në këtë qytet kanë hedhur gurë në drejtim të trupave të KFOR-it.