Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq u ka bërë thirrje shteteve që të veprojnë urgjentisht për të përmirësuar kushtet humanitare në Gaza, duke paralajmëruar se civilët vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha pavarësisht përparimit të fundit në kuadër të armëpushimit, transmeton Anadolu.
“Shtetet duhet të shfrytëzojnë vrullin e gjeneruar nga faza e parë e marrëveshjes midis Izraelit dhe Hamasit për të përmirësuar urgjentisht kushtet e tmerrshme humanitare në Gaza”, tha Mirjana Spoljaric, presidente e ICRC-së.
Gjatë 15 javëve të fundit, ICRC ndihmoi në zbatimin e fazës së parë të marrëveshjes duke lehtësuar kthimin e pengjeve, të paraburgosurve dhe mbetjeve mortore.
“Komunitetit ndërkombëtar tani duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për të rritur përpjekjet që lehtësojnë vuajtjet në Gaza”, apeloi Spoljaric.
“Kjo përfshin lehtësimin e kufizimeve për të ashtuquajturat materiale dhe pajisje me përdorim të dyfishtë, të tilla si tubat e ujit dhe gjeneratorët, të cilat janë thelbësore për rivendosjen e infrastrukturës thelbësore në të cilën mbështeten njerëzit”, shtoi ajo.
Sipas ICRC-së, shumë banorë mbeten të zhvendosur dhe pa shërbime bazë, duke jetuar midis rrënojave gjatë kushteve të dimrit. Spitalet, shkollat, shtëpitë dhe sistemet e ujit kërkojnë riparim urgjent, ndërsa mijëra familje janë ende duke pritur informacion në lidhje me të afërmit e tyre të zhdukur.
“Të gjitha shtetet dhe palët në konflikt kanë përgjegjësi për të siguruar që kufijtë dhe mbrojtjet e sanksionuara në të drejtën ndërkombëtare humanitare të ruhen”, tha Spoljariç, duke e quajtur këtë thelbësore për shpëtimin e jetëve, rivendosjen e dinjitetit njerëzor dhe paqen e qëndrueshme.



