Kryqi i Kuq paralajmëron: Pandemia tjetër mund të jetë e afërt

Jagan Chapagain

Nga këndvështrimi i Kryqit të Kuq, edhe tre vjet pas shpërthimit të Koronavirusit, bota ende nuk është e përgatitur sa duhet për pandemitë e mundshme në të ardhmen.

“Pandemia tjetër mund të jetë e afërt”, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), Jagan Chapagain, të hënën në Gjenevë.

“Nëse përvoja me Covid-19 nuk i shpejton përgatitjet tona, çfarë do të bëjë?” pyeti ai.

Sipas shifrave aktuale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të paktën 6.8 milionë njerëz kanë vdekur nga infektimi me Covid-19.

Në raportin e tij global të fatkeqësive, Kryqi i Kuq theksoi se pandemia kishte shkaktuar numrin më të madh të vdekjeve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Për pandemitë e ardhshme ndërtoni besim

Sipas raportit, numri i shpërthimeve vjetore të sëmundjeve u trefishua midis fillimit të viteve 1980 dhe fundit të viteve 2000.

Kjo ka të bëjë me rritjen e densitetit të popullsisë, rritjen e trafikut ajror dhe afrimin e vendbanimeve njerëzore ndaj habitateve natyrore, tha ai.

Për t’u përgatitur për pandemitë e ardhshme duhet të rritet besimi i popullatës tek vaksinat dhe masat shëndetësore, kërkoi Chapagain.

Shpërndarja e drejtë globale e vaksinave dhe ilaçeve, si dhe masat lokale shëndetësore në nivel komuniteti janë po aq të rëndësishme.

Përveç Koronës, Kryqi i Kuq numëroi 433 fatkeqësi në vitin 2020 me rreth 15,400 vdekje dhe 529 fatkeqësi në vitin 2021 me 14,600 vdekje.

Në të dy vitet kishte më shumë se 300 ngjarje të lidhura me klimën dhe motin. /ora