Kujdes! Policia po kontrollon trafikun me dron

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se Kosova për një kohë të gjatë po përballet me aksidente.

Ai ka thënë se një nga faktorët për rritjen e aksidenteve është edhe periudha pas mbylljes.

Mehmeti ka thënë se aktualisht Policia është në dy operacione aktive, njëri është për kyçjen e të gjitha mjeteve të motorizuara siç janë skuterët.

“Gjatë dy javëve të kaluara i kemi konfiskuar mbi 200 skutera. Ndërkaq në operacionin tjetër janë të kyçura të gjitha njësitet, ndër to edhe njësitë speciale. Ne kemi të kyçur edhe policë me rroba civile. Gjatë kësaj jave kemi filluar me aplikimin e dronëve apo kontrollimin e trafikut përmes tyre. Që nga 1 janari deri më datën 7 Policia i ka shkruar mbi 170 mijë gjoba”, ka thënë ai.

Sipas tij në ditët në vijim do ketë iniciativë për ndryshimin e Ligjit që përgjegjësia të kalojë nga shoferi te pronari i automjetit. Ai ka thënë se të gjitha shtetet kontrollin e trafikut bëjnë me kamera, sensor e radar.

“Digjitalizimi i trafikut do të thotë se do ketë gjoba edhe pa e ndaluar personin. Mundësitë digjitale janë që gjobat të shqiptohen pa u ndaluar personi. Në radhë të parë janë tejkalimi i shpejtësisë. Ne i kemi filluar projektet dhe jemi duke punuar që sa më shpejtë t’i kemi këto mjete. Një projekt tjetër është edhe kontrolli i automjeteve të kryhet përmes skuterëve. Ne jemi duke punuar edhe në ndryshimin e gjobave. Duhet të diskutojmë që gjobat pas aksidenteve me fatalitet janë të mjaftueshme”, ka thënë ai.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit rrugor Nënkolonel Jeton Rexhepi, ka thënë se aksidente fatale në vitin 2019 kanë qenë 31 derisa këtë pjesë të vitit janë 42. 37 persona kanë vdekur në vitin 2019 ndërkaq 50 janë këtë vit.