Kur hakmarrja e Zotit i paraprin gjyqeve njerëzore…

Lajmet që vijnë nga frontet e Gazës dhe Libanit nuk flasin më vetëm për operacione ushtarake, por për një shpërbërje të tmerrshme të brendshme të asaj që Izraeli e quan “ushtria e tij e lavdishme”.

Sipas statistikave të fundit të siguruara nga agjencia e lajmeve Reuters, numri i ushtarëve që vuajnë nga PTSD (Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik) është rritur me 40 për qind që nga viti 2023. Ky nuk është thjesht një kolaps shëndetësor; ky është momenti kur Zoti po merr hak mbi ata që tejkaluan çdo kufi të njerëzores, duke vepruar aty ku drejtësia e kësaj bote po hesht ose po dështon.

Kur një ushtri investon në teknologjinë më moderne për të shkatërruar jetë, ajo harron se ndërgjegjja e njeriut nuk mund të manipulohet përgjithmonë me propagandë. Ushtarët izraelitë po përballen me atë që quhet “dëmtim moral”.

Kjo nuk është frikë nga armiku, por tmerri që vjen nga pasqyra ku sheh veten. Të jetosh me kujtimin e fëmijëve të Gazës që lëshojnë frymën nën rrënoja dhe të familjeve të tëra të shuara, është një barrë që po i thyen ata shpirtërisht.

Hakmarrja hyjnore nuk vjen gjithmonë me rrufe; ajo vjen si një errësirë e brendshme që nuk të lë të flesh, si një zë që të përndjek në çdo hap. Shifra tronditëse e raportuar nga agjencia Reuters, sipas së cilës të paktën 279 ushtarë kanë tentuar vetëvrasjen brenda një periudhe 18-mujore, është dëshmia më e pastër e këtij gjyqi të padukshëm.

Ndërsa bota shikon e pafuqishme masakrat në terren, trupi dhe mendja e ushtarit izraelit po kthehen në një fushëbetejë ku fitojnë vetëm depresioni dhe vdekja. Ata që shkuan të “shfarosnin”, po kthehen në shtëpi si hije, të paaftë për të parë fëmijët e tyre në sy, sepse duart e tyre janë të lyera me gjakun e fëmijëve të tjerë.

Izraeli po përpiqet të blejë paqen shpirtërore me buxhete miliona dollarëshe për terapi dhe sërf, por asnjë dallgë deti nuk e lan dot gjakun e derdhur padrejtësisht. Ky është haku që jeta merr ndaj atyre që e shpërfillën atë.

Kur institucionet ndërkombëtare mbyllin sytë para gjenocidit, haku vjen në formën e një makthi që nuk mbaron kurrë. Vetëshkatërrimi i trupave izraelite është paralajmërimi i fundit për një politikë që ushqehet me vdekje.

Një fitore ushtarake e ndërtuar mbi gërmadha dhe kufoma fëmijësh është në fakt humbja më e madhe. Ky depresion masiv dhe ky epidemi vetëvrasjesh, tregon se asnjë tank apo avion nuk mund të të mbrojë nga pesha e krimeve të tua.

Drejtësia mund të vonojë në gjykatat e Hagës, por ajo ka filluar të veprojë tashmë brenda shpirtit të çdo ushtari që humbi njerëzoren për hir të një lufte të verbër./tesheshi