Kurteshi: Aktivistët e Vetëvendosjes u mbajtën në arrest shtëpiak pa faj

Sami Kurteshi, në një konferencë për media një ditë pas lirimit të Adea Batushës, Egzon Halitit, Atdhe Arifit dhe Frashër Krasniqit nga arresti shtëpiak tha se aktivistët e VV-së janë masa në arrest pa asnjë faj.

Kurteshi tha se akuzat e tilla kanë qëllim dëmtimin e Vetëvendosjes.

“Prokuroria e kriminalizuar ka formuar një aktakuzë pa bazë sepse të tilla prova nuk ekzistojnë”, tha ai.

“Prokuroria po dëshmohet se ka ndërtuar një aktakuzë në formën e një kulle prej letre të cilën e rrëzojnë dëshmitë profesionale sidomos të forenzikës. Dëshmitarët në këtë rast nuk mund të ofrojnë dëshmi të qëndrueshme që fajëson aktivistët sepse të tilla dëshmi nuk ekzistojnë. Zhurma e krijuar, shpifjet, arrestimi, mbajtja në arrest shtëpiak të aktivistëve kanë qenë veprime për të vënë Lëvizjen Vetëvendosje në terrenin e terrorizmin dhe dëmtimin e aj në aspektin politik dhe shoqëror”, u shpreh Kurteshi.

E Adea Batusha, e liruar një ditë më parë nga arresti shtëpiak tha se rasti është politik.

Ajo tha se që një vit janë mbajtur të izoluar, ndërsa dje u liruan pavarësisht se s’ka ndryshuar asnjë rrethanë.