Kurti bën homazhe në 26-vjetorin e rënies së heroit Bahri Fazliu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe në 26-vjetorin e rënies heroike të Bahri Fazliu.

Me këtë rast, Kurti tha se nuk duhet harruar asnjëherë, se punën më të madhe, më të rëndë, më të vështirë, e kryesoren, e kanë kryer dëshmorët e kombit.

“Ai u vra në betejë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe në Bogiq, në vendi i cili ndodhet në kufi të Kosovës edhe me Shqipërinë edhe me Malin e Zi. Pra një vend domethënës i cili është edhe në përputhje me idealet e Bahri Fazliut – Gzimit, për çlirim e për bashkim kombëtar”, u shpreh kryeministri Kurti pas homazheve.

Ndryshe, Kurti në këto homazhe ishte i shoqëruar nga ministra e zëvendësministra të qeverisë, deputetë të Kuvendit, dhe anëtarë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.