Kurti e Hovenier takojnë përfaqësues të bizneseve në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve. Në këtë takim, ku krahas ambasadorit Hovenier, ishin edhe përfaqësues të USAID-it e të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, potencialin që ka Kosova dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me sektorin privat.

U diskutua për mundësitë dhe sfidat, në sektorin privat, me theks te financimi i zgjerimit të biznesit dhe fuqia punëtore, si dhe për mënyrat se si të tërhiqen edhe më shumë investime të huaja direkte në vendin tonë.

Kryeministri Kurti nënvizoi punën, veprimet dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria për lidhjen ndërmjet edukimit dhe tregut, përmes arsimit dual, i cili tashmë është pilotuar në këtë vit akademik që po e përmbyllim në gjithsej katër shkolla profesionale, në katër programe në tre komuna të ndryshme. Ai i njoftoi edhe për mundësitë që ofron Fondi Sovran, ligji për të cilin së fundmi është miratuar në Qeveri, dhe potencialin që paraqet sektori i energjisë, duke marrë parasysh orientimin e qeverisë drejt energjisë së ripërtëritshme.

Qëllimi i këtij takimi ishte avancimi i komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe sektorit privat, si hap drejt forcimit të bashkëpunimit me sektorin privat për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit.