Kurti: Eliminimi i dhunës është detyrim, viktimat të mbrohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se eliminimi i dhunës është detyrim i secilit individ, derisa bëri thirrje që viktimat e dhunës, të mbrohen dhe të përkrahen institucionalisht.

Ai deklaroi të hënën në lansimin e protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës se ka raste kur institucionet nuk merren konkretisht me rastet e dhunës, por i neglizhojnë ato.

“Ka raste kur institucionet i hedhin fajin njëra-tjetrës për mosveprim dhe gjithashtu shmangin përgjegjësitë apo neglizhojnë thirrjet e dhunës, kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Në rastet e paraqitura, institucionet s’i kanë kryer rastet, duke i lënë pa trajtim rastet e viktimave…Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç, e i neve të gjithëve së bashku. Viktimave iu takon përkrahja institucionale, përkujdesje adekuate shëndetësore e psikologjike”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, prokuroritë e gjykatat duhet të dëshmojnë përkushtimin e ri për trajtimin e rasteve të dhunës. Ai shtoi se dhuna është çështje e sigurisë dhe mirëqenies, e jo private dhe familjare.

Të mërkurën është vrarë një 35-vjeçare shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK. Vrasja dyshohet që u krye nga ish-bashkëshorti i saj.