Kurti: Filloi fundi i zhvatjes përmes homologimit

Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme vendimin me të cilin ajo në pajtim me Përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nr.08-P-16 të datës 17.05.2021, jep mendim lidhur me nismën Legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

E pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri Kurti, i cili përmes një statusi në Facebook ka thënë se “filloi fundi i zhvatjes përmes homologimit”, duke shtuar se “12 vjet radhazi kishim monopol në homologimin e automjeteve që pasuronte një oligark duke imponuar barrierë tregtare”.

“Filloi fundi i zhvatjes përmes homologimit. 12 vjet radhazi kishim monopol në homologimin e automjeteve që pasuronte një oligark duke imponuar barrierë tregtare. Qytetarëve u duhen shërbime të mira e jo detyrime të padrejta. Tash është në duart e deputetëve të Kuvendit të Republikës që ta jetësojnë nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L – 132 për Automjete”, ka thënë Kurti.

Me këtë nismë legjislative të këtij vendimi është përcaktuar që Projektligji duhet analizuar hollësisht në mënyrë që të adresohen rekomandimet e dhëna, të harmonizohet me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës  dhe të ndryshohet një nen, në mënyrë që të hiqet detyrimi për homologim për mjetet rrugore të reja që kanë certifikatë të konformitetit.