Kurti flet në Spanjë për agresionin e Serbisë: Ka forca që synojnë ripërcaktimin e kufijve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga qyteti i Malagës në Spanjë, ka shprehur mirënjohje pas pranimit të partisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Partinë e Socialistëve Evropian.

Kryeministri gjatë fjalimit të tij, duke folur për situatën globale, veçanërisht konfliktin Rusi – Ukrainë dhe Izrael – Rripi i Gazës, përmendi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit që ndodhi në Basnjkë të Zveçanit.

Kurti, për sulmin terrorist tha se dëshmon që ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin dhe besueshmërinë demokratike, si dhe për të ripërcaktuar kufijtë.

“Ndërkohë, siç e dini, më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar. Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit. Një zyrtar policor nga Policia e Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Falë profesionalizmit shembullor të njësive speciale të policëve tanë, Kosova ka arritur t’i mposhtë terroristët, duke iu përgjigjur proporcionalisht këtij sulmi dhe duke shmangur një eskalim të pakontrolluar, gjë që ishte qëllimi i grupit kriminal paramilitar të kontrolluar nga Beogradi”, tha Kurti.

“Ky sulm terrorist dëshmon që sot ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin dhe besueshmërinë demokratike, për të rrënuar të gjitha parametrat stabilizuese dhe paqen e fituar, për të ripërcaktuar kufijtë dhe imponuar rregulla të reja të rendit”, deklaroi kryeministri, raporton teve1.info

Ndërkohë, për pranimin e VV-së në Partinë e Socialistëve Evropian, Kurti, ka thënë që ky pranim, si anëtare vëzhguese në hapin e parë, është një dëshmi e besimit ndaj qeverisë së mirë.

“Ky pranim, si anëtare vëzhguese në hapin e parë, është një dëshmi nga ana juaj e besimit tuaj ndaj qeverisjes së mirë, efikase dhe premtuese, të qeverisë që unë e drejtoj si kryeministër i Republikës së Kosovës. Ky besim frymëzon një përkushtim kolektiv, nga unë, partia ime dhe Qeveria që drejtoj. Prandaj, ju siguroj që do të vazhdojmë të dëshmojmë aktivisht përkushtimin tonë ndaj zbatimit të politikave socialdemokratike”, ka thënë Kurti.

Kurti gjatë fjalisë së tij ka përmendur të arriturat e qeverisë brenda dy vjet e gjysmë, ku ndër to ka përmendur edhe rritjen e buxhetit, që sipas tij vitin tjetër do të arrijë rekord të ri.

“Pavarësisht nga sfidat me të cilat është përballur vendi im, brishtësinë e trashëguar para tri krizave të njëpasnjëshme botërore – pandemisë, krizës së energjisë dhe asaj të inflacionit – buxheti ynë do të vazhdojë të rritet vitin tjetër, duke arritur një rekord të ri, ndërsa për herë të parë BPV-ja po tejkalon 10 miliardë euro, duke shënuar një rritje thuajse 50% të BPV-së në katër vitet e fundit”, tha Kurti.