Kurti flet për vendimet e sotme të Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për vendimet që janë marrë gjatë ditës së sotme në mbledhjen e 92-të të qeverisë.
Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se, për zbatimin e projekteve kapitale në komunat Klinë, Gjilan, Podujevë, Shtime, Istog dhe Kamenicë, kanë rialokuar 1.080.768 euro në Ministrinë e Administratës të Pushtetit Lokal, shkruan lajmi.net.

Po ashtu Kurti ka njoftuar se kanë caktuar zonat e mbrojtura sanitare dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor nëntokësor që përdoret për pije “Puset e Konjuhit” në komunën e Lipjanit.

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e 92-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës miratuam 17-të vendime.

Për zbatimin e projekteve kapitale në komunat Klinë, Gjilan, Obiliq, Podujevë, Shtime, Istog dhe Kamenicë, rialokuam 1.080.768 euro në Ministrinë e Administratës të Pushtetit Lokal.

Me qëllim të kthimit të ligjshmërisë, shfuqizuam 17 vendime të mëparshme për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit te komunat Prizren, Klinë, Malishevë, Skenderaj, Podujevë, Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë, Istog, Pejë, Graçanicë, Zveçan, Vushtrri, Mitrovicë Veriore, Ranillug dhe Kllokot.

Caktuam zonat e mbrojtura sanitare dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor nëntokësor që përdoret për pije – “Puset e Konjuhit” në Komunën e Lipjanit.

Për funksionimin e Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve miratuam udhëzim administrativ.

Për shënimin e 25 vjetorit të vdekjes së humanistes shqiptare Nënë Terezës, Qeveria ka themeluar Këshillin organizativ për këtë përvjetor.

Emëruam bordet e drejtorëve në katër ndërmarrje publike qendrore. NP “Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A”, KRU Hidroregjioni Jugor, Sh.A. Prizren, KRU Radoniqi-Dukagjini, Sh.A. Gjakovë dhe KRU Bifurkacioni, Sh.A. Ferizaj. Shkarkuam bordin e drejtorëve të ndërmarrjes publike “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos” Sh.A. dhe emëruam bordin e përkohshëm të drejtorëve të kësaj ndërmarrje.

Ndamë 40 milionë euro për mbështetjen e ndërmarrjes publike KOSTT Sh. A. për përmbushjen e obligimeve që ka Republika e Kosovës ndaj ENTSO-E.

Ndamë 600.000 euro për mbështetjen e prodhuesve vendor.

Lidhur me zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, miratuam plotësim ndryshime, me të cilat shuma e përgjithshme e ndarë për masën e mbështetjes së likuiditetit familjar, bëhet 7.4 milionë.

Për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2021 dhe Amendamentit 2 të Marrëveshjes Financiare IPA 2018 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian kërkuam nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit.