Kurti: Kosova bëri hap të rëndësishëm drejt NATO-s, përkundër fushatës së Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm të anëtarësimit në NATO, pas votimit për statusin e asocuar në Asamblenë e NATO-s.

Ai ka thënë se kjo u arrit për kundër fushatës së Serbisë, ndërsa ka falënderuar të gjithë zyrtarët e shtetit që punuan por edhe aleatët për përkrahjen.

“Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë. Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, ka thënë Kuri.

Asambleja Parlamentare e NATO-s me shumicë vota të hënën ka miratuar statusin e Kuvendit të Kosovës.

Vetëm një votë ishte kundër dhe 14 abstenime.

Kosova tashmë në këtë asamble do të ketë statusin e asocuar.

Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asociuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj