Kurti: Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë më shpesh bashkë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në Kuvendin e Shqipërisë, se Kosova dhe Shqipëria, duhet të jenë më shpesh së bashku, jo vetëm nëpër festa.

Ai deklaroi të dielën në mbledhjen e dy kuvendeve për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, se dy vendet duhet të ndajnë ide dhe të “punojnë bashkërisht”.

“Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanë, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gurë”, tha ai.

Rama: LDK-ja dhe UÇK-ja, faktorë kryesorë që mundësuan ardhjen në këtë ditë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, derisa ka folur në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë në Tiranë, ka përmendur Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pa të cilat tha se nuk do të mund kuptohej ardhja deri në këtë ditë.

“Dy emra do të sjell në vëmendje këtu, pa të cilët nuk mund të kuptohet sot, as ardhja deri në këtë ditë dhe as vazhdimësia përtej kësaj dite: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe të dyja këto natyrisht lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot, pasi u nda nga jeta para kohe por me mision të kryer, dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar sot në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht, në një mision që vazhdon”, është shprehur Rama.

Rama gjatë kësaj mbledhjeje shtoi se “njohja përfundimtare” e Kosovës do të vijë.

“Unë besoj se edhe njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë dhe se Kosova nuk do të presë kaq sa ka pritur qysh se ka shpallur pavarësinë për t’u njohur përfundimisht, ndërkombëtarisht dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të gjithë organizimit të përgjithshëm të botës ku ne jetojmë”, tha Rama.