Kurti kritika opozitës pasi s’po voton marrëveshjet ndërkombëtare: Humbin qytetarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga PDK-ja dhe AAK-ja po humbin qytetarët, pasi siç thotë ai, Qeveria mund ta vazhdojë punën edhe pa votimin e tyre.

Në një adresim në Kuvend, Kurti e ka pranuar se mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e bën punën e tyre më të vështirë, por në fund, sipas tij, e pësojnë më së shumti qytetarët.

“Marrëveshjet ndërkombëtare që po presin miratimin në Kuvend janë 360 milionë euro. Ato nuk mund të votohen pas 2/3 e votave të deputetëve, pasi Kushtetuta e ka paraparë si masë parandaluese që qeveritë e papërgjegjshme mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të shtetit. Marrëveshjet që po presin nuk rrezikojnë financat e shtetit. Përkundrazi, nuk janë aq të dëmshme dhe nuk ka shkaktojnë paqëndrueshmi financiare. Kemi të bëjmë me projekte zhvillimore që janë aq të nevojshme për vendin tonë. Që marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve pajtohet edhe opozita. Dhe megjithatë ata nuk po i votojnë. Cila është arsyeja? Të bllokohet Qeveria? E vërtetë që na bëni punën e vështirë dhe na bëni joserioz ndaj ndërkombëtarëve, por Qeveria mund ta vazhdojë mandatin edhe pa marrëveshjen ndërkombëtare. Por këtu humbin qytetarët sepse projektet nuk bëhen. Humbin kreditë e buta dhe grantët. Detyra e opozitës është se si mund të bëhet më mirë, jo ta bllokojë punën në kurrize të qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit tutje ka përmendur ligjet që partitë opozitare, përfshirë LDK-në, i kanë çuar në Kushtetuese. Ndërsa ka kujtuar kohën kur VV-ja ishte në opozitë dhe thotë se kishte votuar pothuajse të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

“Nuk mund të thuash po e bëj opozitën e po brengosem për qytetarët, kur bllokohet ligji për çmimet tavan, nuk mund të thuash se po brengosem për punëtorët kur bllokohet ligjin për pagën minimale apo kur bllokohen marrëveshjet. Nuk bëhet kjo punë kështu. Këtë po e thotë dikush që ka bërë opozitë parlamentare 10 vjet. Ne vetëm tri marrëveshje ndërkombëtare nuk i kemi votuar, dhe ato dihen cilat janë. Të gjitha ato që kanë qenë për financa, nuk kemi pasur hezitim t’i votonim”, ka thënë Kurti.

Kurti ka bërë thirrje që marrëveshjet ndërkombëtare të mos jenë betejë e përplasjes mes shumicës dhe opozitës, pasi “ka bollë tema të tjera”.

PDK-ja ka thënë se do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtarë “posa të caktohet data e zgjedhjeve të reja”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se nëse ekziston dikush që e ka bërë shtetin joserioz, është pikërisht Qeveria.

“Thatë që ky mosvotim po e bën shtetin joserioz në raport me ndërkombëtarët, e vërteta është që nëse e ka bërë dikush shtetin joserioz jeni ju. Për faktin se sot jemi nën masa sanksionuese. Kosova është e përjashtuar prej programeve të ndryshme financiare dhe dilni thoni po i humbim mjetet. Janë mbi 500 milionë qe i kemi mbështetur si PDK e si opozitë, çfarë po ndodh me të sepse nuk keni filluar as t’i implementoni disa prej tyre”, ka thënë ai.

Duke iu drejtuar Kurtit, ka thënë se ai është shembulli më i keq i opozitarit që e ka pasur Kosova ndonjëherë.

Deputeti Armend Zemaj ka thënë se Vetëvendosja nuk mund t’i tregojë LDK-së se çfarë do të thotë votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

“T’i tregosh LDK-së se çka do të thotë votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ‘është si ai fëmija i papjekur që i thotë babës së vetë, hajde babë t’i tregoj mezhdat. Këtu i ke dëshmitë se me kë i ke kaluar marrëveshjet”, ka thënë ai.

Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se LDK-ja i voton marrëveshjet ndërkombëtare.

“Kryeministër ju e dini që GP i LDK-së po i voton marrëveshjet ndërkombëtare përveç njërës që jemi deklaruar. Vendi ynë deri më sot i ka 1.7 miliardë borxh shtetëror për projekte. Prej kësaj shume vetëm 19.4 për qind janë implementuar. Përmendët marrëveshje të dëmshme duke iu referuar asaj të 2013-ës dhe 2015-ës mirëpo ju sikurse i keni betonuar këto marrëveshje me marrëveshjen e Ohrit”, ka thënë ajo.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i ka thënë Kurtit se nuk mund ta trajtojë opozitën si të dojë ai.

“Me këtë mashtruesin nuk ja vlen të replikohet. Deri më tani në këtë mandat janë votuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë 813 milionë euro. Të gjitha këto janë votuar me votat e opozitës dhe nuk mund ta trajtosh atë bash si të duash. Ndoshta mundesh, por pastaj nuk mundesh. Nuk mund të mbash fjalim elektoral disa ditë pas vdekjes së Afrim Bunjakut e këtu të mos e mbështetësh Policinë. E gjithë karriera jote politike Albin Kurti është mbi gjakun e të tjerëve. Kështu je ngrit në opozitë e kështu po vazhdon edhe sot”, ka thënë ai.