Kurti: Kroacia është model i shkëlqyer që duhet ndjekim për anëtarësimin tonë në NATO dhe BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se është i nderuar me vizitën e kryeministrit kroat.

Kurti tha se e vlerësojmë lart mbështetjen që merr Kosova nga Kroacia në rrugën e saj drejt shtet-ndërtimit.

“Vizita e sotme ri konfirmon afërsinë dhe marrëdhëniet e mira mes dy shteteve tona, pasi kemi të kaluar të përbashkët. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i jep Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se gjatë takimit kanë biseduar për raportet miqësore dhe mënyrat sesi mund t’i intensifikojnë ato.

Kryeministri Kurti shtoi se Kosova synon anëtarësim në NATO dhe BE, dhe se Kroacia është shembulli dhe model i shkëlqyer që duhet ndjekim.

Kryeministri falënderoj homologun e tij kroat edhe për donacionet e vaksinave antiCOVID-19 që i kanë dhënë Kosovës, dhe ndihmën që i kanë ofruar shtetasve kosovarë në aksidentin tragjik që ndodhi.