Kurti kujton masakrën e Kaçanikut ku forcat serbe vranë 60 shqiptarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e masakrës së Rakocit dhe në Lagjen e Re të Kaçanikut, ku u varë nga forcat serbe 28 dëshmorë e 32 civilë shqiptarë.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka shkruar se duke nderuar sakrificat e popullit të Kosovës për liri, punohet me vendosmëri për një Kosovë të paqes, të drejtësisë dhe përparimit.

“Nebih Livoreka i kishte 105 vjet kur e vranë në Rakovec të Kaçanikut. Ai ishte në mesin e 32 civilëve që u vranë atë ditë. Në betejë me forcat armike të Serbisë që kishin sulmuar popullsinë shqiptare ranë heroikisht 28 dëshmorë të UÇK-së. Sot u mbushën 25 vjet.

Në mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku ishte zgjuar i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, duke granatuar nga të gjitha anët.

Në mbrojtje të tyre dolën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me forcat e armatosura serbe. Në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, u zhvilluan luftime të ashpra. Në mbrojtje të popullatës civile ranë 28 dëshmorë. Në mesin e tyre edhe katër gra dëshmore: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika-Muhaxheri. Sikurse që doli në ballë të luftimeve në prill 1999, ashtu në maj 1998 Mukadezja ishte në ballë të protestave kundër dhunës serbe në Kaçanik”, shkroi ndër të tjera Kurti.