Kurti merr pjesë në Samitin e Vjenës, e pranishme edhe Bërnabiq

Ka nisur të mbahet në Vjenë Samiti i radhës për Ballkanin Perëndimor, në të cilin po marrin pjesë përfaqësues të vendeve të rajonit, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Nikoqir i Samitit të sotëm do të jetë kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili në llogarinë e tij në ‘Twitter’ ka bërë të ditur se pjesëmarrës në këtë ngjarje do të jenë edhe: përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Belinda Belluku nga Qeveria e Shqipërisë dhe Zoran Tegeltija nga Bosnja dhe Hercegovina.

Kruz ka shkruar se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Evropa nuk mund të jetë e plotë derisa të bëhen pjesë e saj vendet e Ballkanit Perëndimor. Ju mund të llogarisni në mbështetjen tonë të plotë në luftimin e reformave të kërkuara dhe luftimin e pandemisë CoViD-19. Këtë do ta theksojmë edhe sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar kancelari austriak.

Pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në Samit e ka konfirmuar për Telegrafin edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Po kryeministri merr pjesë në Samitin e Vjenës për Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Ndryshe, liderët e Ballkanit Perëndimor, gjatë javës së kaluar, ishin mbledhur në Shqipëri, në kuadër të Samitit të Tiranës, pjesë e të cilit ishte edhe komisioneri evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Vehrelyi.