Kurti në Bratisllavë flet për tensionet në veri, tregon qëndrimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në konferencën globale të sigurisë Globsec në Bratisllavë, ku ka folur për të ardhmen e Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve, Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje por se mbetet vetëm zbatimi i saj.

“Kemi marrëveshje me Serbinë vetëm se duhet ta zbatojmë. Implementimi mungon sepse Beogradi nuk dëshiron ta bëjë atë”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se katër kryetarët e komunave në veri japin dorëheqje sepse Beogradi u kërkoj atyre.

“Në Kosovë kemi pluralizëm politik. Nuk dua të besoj se mund të ketë demokraci pa pluralizëm politik, pa të drejtat e njeriut. Kjo parti e i shqelmoj të gjithë jashtë garës dhe në fund i bojkotuan zgjedhjet

Ne i shtyjmë zgjedhjet për katër muaj. Kandidatët shqiptarë fituan katër prej tyre. Ata janë kryetar me K të vogël jo të madhe, sepse pjesëmarrja ishte e vogël dhe nuk mund të konsideroj se ata kanë legjitimitet të plotë politik, por ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duhet të zbatohen, ata janë kryetarë”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se komuniteti ndërkombëtar njohi procesin dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

“Por kur këta kryetarë u desh të shkonin në zyre në ndërtesat komunale, serbët filluan të organizojnë protesta të dhunshme dhe sulmuan policinë tonë dhe ushtarët e KFOR-it. Në çdo komunë në kosovë kemi disa policë, dhe kjo është normale. Përderisa jashtë janë grupe të dhunshme që kërëcënojnë me sulme dhe vendosin simbole nacionaliste “Z” duke treguar admirimin për Putinin dhe ushtrinë ruse dhe agresionin në Ukrainë, është e nevojshme ti kemi njësitë speciale të Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale”, tha Kurti.

Kurti, i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

“Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, tha Kurti në një adresim nga Bratisllava.

Ai e përsëriti këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë “është i papranueshëm”.