Kurti në takim me emisarin gjerman: Serbia të ndëshkohet ndërkombëtarisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar ndëshkim ndërkombëtar për Serbinë, pas sulmit terrorist në veri të Kosovës një javë më parë.

Kurti i cili të dielën ka takuar Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë se ekzistojnë fakte se Serbia qëndron prapa këtij sulmi.

“Dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, për të cilin Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në këtë takim siç bëhet e ditur temë qendrore ishte situata e sigurisë në Republikën e Kosovës, pas sulmit të 24 shtatorit dhe vendosjen e ushtrisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.

“Kryeministri Kurti theksoi që Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën ishte hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe mbështetur një agresion të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës:, thuhet tutje në komunikatë.

Kryeministri Kurti e falënderoi emisarin Sarrazin për këtë vizitë të radhës dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm e intensiv.