Kurti: Po bëjmë çdo gjë për lirimin e tre policëve tanë të kidnapuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se autoritetet e Kosovës janë duke bërë çdo gjë për t’i liruar tre policët kosovarë që u kidnapuan nga forcat serbe në Leposaviq më 14 qershor.

Kurti ka thënë se javën e ardhshme shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd pritet t’i vizitojë tre policët e kidnapuar.

Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta dënojnë agresionin e Serbisë. Kurti ka folur pas inaugurimit të punimeve në Sallën e Sportive në Ferizaj të dielën.

“Jemi duke bërë gjithçka që ata të lirohen sa më shpejt, të pacenuar. Ndërkaq në anën tjetër ftojmë edhe njëherë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësit i tyre antiterror dhe njësiti i tyre ‘Kobra’ i ushtrisë. Sipas të gjitha gjasave, në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori ynë Jetish Jashari, që përndryshe është shef i Zyrës ndërlidhëse në Beograd, do të arrijë t’i vizitojë tre policët tanë”, tha Kurti.

Lidhur me inaugurimit të punimeve në Sallën e Sportive “Bill Clinton” në Ferizaj, Kurti ka njoftuar se ky investim kap vlerën prej afro gjysmë milioni eurosh.

“Renovimi i një salle kaq të madhe sportive do të ketë një ndikim pozitiv në mjedis, do të reduktojë kostot e energjisë, si dhe do të ndikojë në mirëqenien e sportistëve, si dhe dashamirëve të sportit. Më e rëndësishmja nga ky investim është se do t’u sigurojmë kushtet optimale për zhvillimin e hapësirës sportive dhe arritjen e objektivave të tyre për rezultate gjithnjë e më të mëdha. Ky investim është realizuar nga Fondi i Kosovës për efiçiencë të energjisë në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe kap vlerën afër 500 mijë euro. Vlerësohet se këto masa të efiçiencës së energjisë do të rezultojnë me kursime të energjisë prej rreth 52 për qind të konsumit bazë, pra më shumë se gjysma”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se ky investim është vetëm një nga projektet e komunës në këtë drejtim.

“Investimi prej afër gjysmë milioni euro komunës së Ferizajt përmes fondit të efiçiencës së energjisë për rinovimin e palestrës së sporteve është vetëm një nga projektet tona në këtë drejtim. Pas realizimit të suksesshëm të këtij projekti, vitin e ardhshëm palestra e sporteve ‘Bill Clinton’ do t’i nënshtrohet rinovimit tërësor, duke u shndërruar në një sallë krejt të re.