Ballina Lajmet Kosovë Kurti: Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat apo inatet

Kurti: Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat apo inatet

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas rikthimit të funksionimit të Kuvendit, rruga përpara e deputetëve nuk duhen të jenë pengesat apo inatet, por miratimi i marrëveshjeve që janë në dobi të qytetarëve.

Gjatë fjalimit në Kuvend të enjten, Kurti ka thënë se Gjykata Kushtetuese e qartësoi përgjegjësinë e secilit institucion dhe kufijtë deri ku mund të veprojnë.

“Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete të presidentit dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet”, ka thënë Kurti, duke theksuar se pas qartësimit të këtij realiteti, nuk kemi boshllëk institucional, por detyra të qarta për të avancuar agjendën legjislative.

Kryeministri u shpreh se demokracia nuk avancon duke bllokuar funksionet e njëra-tjetrës, por duke respektuar çdo pushtet brenda kufijve kushtetues.

“Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat apo inatet… ajo çka kërkohet prej nesh janë miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe agjenda që përmirëson jetën e qytetarëve – këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht”, ka shtuar ai.

Kurti foli edhe për çështjet konkrete që presin veprim të menjëhershëm, duke përfshirë Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjin për çmimet tavan, si përgjigje ndaj krizës dhe abuzimeve në treg:

“Problemet e përbashkëta kërkojnë zgjidhje të përbashkët… shumë shpejt do ta risjellim këtu për ta votuar dhe presim që edhe opozita ta mbështesë”, ka thënë ai.