Kurti – Serbisë: Distancohu nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë që të distancohet nga sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës në veri.

Në një reagim në Twitter për sulmet ndaj policëve që kanë ndodhur tre ditët e fundit, Kurti ka thënë se nuk do të jenë pengesë për të mbrojtur shtetin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë Kosovës.

“Për tri ditë radhazi (13–15 prill) policët e Kosovës janë sulmuar në pikën kufitare me Serbinë. Dje dhe sot më herët, një breshër plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë. Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ketë ardhur nga territori i Serbisë. Kjo as nuk do të na pengojë dhe as nuk do të na ndalojë nga lufta jonë për të mbrojtur shtetin ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin e Republikës sonë. I bëj thirrje Serbisë që të dënojë dhe distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve policë të sulmuar ishin serbë të Kosovës”, ka shkruar Kurti.