Kurti takoi deputetin shqiptar, pjesë e grupit që përfaqëson Suedinë në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mirëpriti sot deputetin shqiptar të parlamentit suedez, Adnan Dibranin dhe Arbër Gashin, aktualisht i përfshirë në qeverisje lokale në Suedi dhe i cili është në pritje të bëhet deputet në parlamentin suedez në rast të zgjedhjes së Adnan Dibranit në Parlamentin Evropian. Ata po shoqëroheshin nga Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Në këtë takim sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit u diskutua për bashkëpunimin me diasporën si dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Bashkëpunimi me diasporën, roli i tyre dhe ndërlidhja me vendin, si edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ishin temat qendrore të takimit. Pas suksesit në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, me 16 prill, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do t’i nënshtrohet votës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kryeministri Kurti falënderoi Suedinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe deputetët suedezë për angazhimin e tyre në kandidaturën e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme. Adnan Dibrani është njëri nga deputetët, që përfaqëson Suedinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në komunikatë.

Deputeti Dibrani dhe z.Gashi u shprehën mirënjohës për mikpritjen dhe takimin dhe shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim edhe më të ngushtë përgjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, por jo vetëm.