Kurti takoi në Athinë ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, diskutohen çështjet e sigurisë

Kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ish ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe ish-Drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Në njoftimin për media u theksua se ky takim është zhvilluar në kuadër të tryezës ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze The Economist, e cila po mbahet në Athinë, shkruan lajmi.net.

Tutje u tha se në takim është theksuar miqësia dhe partneriteti i Kosovës me SHBA-të.

“Në tryezën ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze The Economist, e cila po mbahet në Athinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe ish-Drejtorin e CIA-s, z. Mike Pompeo. Në këtë takim u theksua miqësia dhe partneriteri i Kosovës me ShBA-të, nevoja për shtimin e investimeve ekonomike amerikane në Kosovë dhe hapat, që po ndërmerr Kosova për të shtuar sigurinë dhe mbrojtjen.”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti e njoftoi Pompeon me të arriturat e Kosovës sa i përket rritjes ekonomike, cilësisë së demokracisë dhe imazhit të Kosovës në botë.

“U diskutua edhe situata në Evropë e posaçërisht në Ballkan pas agresionit ushtarak të paprovokuar, ilegal e të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën. Të dy u pajtuan që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë, që kontinenti evropian mbrohet më së miri me unitet të brendshëm dhe me urën transatlantike me ShBA-të dhe se Kosova është shembull suksesi i qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe i ndërhyrjes së NATO-s”.