Kurti takon myftiun Tërnava, e falënderon për kontributin e dhënë në parandalimin e COVID-19

Kryeministri Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava.

Në komunikatën qeveritare thuhet se myftiu Tërnava e uroi kryeministrin Kurti për detyrën dhe shprehu bindjen se Qeveria e re do të punojë për ndryshimet e nevojshme që presin qytetarët nga Qeveria Kurti.

Kryeministri Kurti e falënderoi Myftiun Tërnava për bashkëpunimin dhe kontributin që ai dhe Bashkësia Islame e Kosovës, kanë dhënë për respektimin e rregullave dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

U bisedua për sfidat në ballafaqimin me pandeminë dhe veprimet për tejkalimin e vështirësive, si dhe domosdoshmërinë për kujdes e vëmendje të shtuar në ruajtjen e shëndetit publik.