Kurti u bën sërish thirrje serbëve që t’i konvertojnë targat nga ilegale në RKS

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish u ka bërë thirrje qytetarëve serb që t’i konvertojnë targat në RKS.

Tani që kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës për ndërrimin e targave nga ato ilegale në RKS, shtoi se targat e stërvjetruara duhet që të konvertohen nga serbët.

“Ne sot kemi takim me Ursula Von der Leyen, kemi aktivitetet tona ditore. Unë i ftoj të gjithë qytetarët serb që i kanë targat e stërvjetëruara që t’i kthejnë ato në të Republikës së Kosovës”,tha Kurti, transmeton lajmi.net.

Këto komente Kurti i bëri pas vënies së gurthemelit të çerdhes në afërsi të shkollës së Gjelbër në Prishtinë.

Ndryshe ditë më parë, kryeministri Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk do të shtyjë afatin sa i përket marrëveshjes së targave.

Ky qëndrim i Kurtit nuk u ndryshua as pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që afati të shtyhet edhe pas 31 tetorit që është paraparë si data e fundit për mundësinë e ndërrimit të targave.

Pas deklarimit të Kurtit për mosndryshim të qëndrimit, Lista Serbe ka kërkuar dje takim urgjent me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Serbët e veriut të Kosovës kërkuan takim urgjent, në mënyrë që të diskutohet kjo çështje.

Derisa është aluduar në tensione të mundshme në veri gjatë ditëve të ardhshme, Vuçiq sot ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Serbisë.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht u ka bërë thirrje qytetarëve serb në Kosovë që të bëjnë ndërrimin e targave, nga ato ilegale në RKS.

Pikërisht gjatë kohës sa vazhdimisht është bërë një thirrje e tillë, të shpeshta kanë qenë rastet kur në veri janë provokuar qytetarët të cilët i kanë ndërruar tashmë ato targa.

Së fundi janë dy vetura të cilat janë djegur, pasi të njëjtit kishin zëvendësuar targat nga ato ilegale në RKS.

Provokime të tilla janë bërë vazhdimisht, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme mbrëmë është bërë e ditur se edhe 20 vetura i kanë konvertuar këto targa, pesë prej tyre vetëm në tri ditët e fundit.

“Interesimi i qytetarëve asnjëherë nuk ka munguar, që nga dita e parë. Së fundmi, edhe një tjetër qytetar, banor i komunave në veri, ka bërë regjistrimin e veturës së tij. Të gjitha Qendrat e Regjistrimit Civil janë në dispozicion andaj ftojmë qytetarët që të vazhdojnë t’i përgjigjen thirrjes për të regjistruar veturat e tyre, pa marrë parasysh vendbanimin duke përfituar kështu nga lirimet tatimore e doganore të cilat arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro”,u tha tutje nga MPB.