Kurti uron komunitetin turk në Ditën Kombëtare të tyre, u premton avancim të të dejtave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar komunitetin turk në Kosovë në Ditën Kombëtare të Turqve.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka thënë se në Kosovë ky komunitet gëzon të drejta të barabarta me komunitetet tjera derisa ka përmendur se në disa komuna gjuha turke është edhe gjuhë zyrtare.

“Në Ditën Kombëtare të Turqve të Kosovës, para se t’i uroj bashkëqytetarët tanë nga ky komunitet, dua t’i falënderoj për kontributin e dhënë në vazhdimësi për ndërtimin dhe lartësimin e Republikës së Kosovës. Si mjekë, policë, ushtarë, mësues, nga bizneset deri te shoqëria civile, në vendimmarrje dhe në jetën artistike të vendit. Gjatë vitit të kaluar kemi krijuar kushte edhe më të mira për realizimin e të drejtave të komunitetit turk, si për përfaqësimin e tyre në institucionet e nivelit qendror, ashtu edhe në sigurimin e të drejtave për përdorimin e gjuhës turke. Në tetor të vitit të kaluar krijuam bazën ligjore që mundëson mbajtjen e konkurseve nëpër ministri për vende pune të rezervuara vetëm për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë dhe tashmë shpalljen e tyre, në mënyrë që kuota prej 10% sipas ligjit për vendet e punës për anëtarët e komuniteteve joshumicë të mund të realizohet”, tha Kurti.

Ai ka premtuar se pas regjistrimit të popullsisë dhe identifikimit të numrit të saktë të qytetarëve nga ky komunitet, të drejtat e tyre do të rriten.

“Gjuha turke është gjuhë zyrtare në nivel të komunës së Prizrenit dhe Mamushës dhe në përdorim zyrtar në komunat e Gjilanit, Vushtrrisë dhe Prishtinës. Sivjet, komuna e Mitrovicës së Veriut ka adoptuar vendimin për njohjen e gjuhës turke si gjuhë tradicionale në atë komunë. Po ashtu, për herë të parë në Kosovë, një komunitet po merret në mbrojtje si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore, përkatësisht asetit “Opusi i shoqërisë kulturore të komunitetit turk në Prizren” në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore. Besojmë se dhe prej regjistrimit të popullsisë që po bëhet tani, do të kemi informacion edhe më të mirë për numrin e bashkëqytetarëve tanë nga komuniteti turk, dhe synojmë që me këtë informacion të forcojmë më tej buxhetet për ta si dhe të drejtat e tyre për përfaqësim në institucione. Me këto të drejta dhe me këtë përfaqësim, forcojmë shtetin tonë multietnik dhe projektohemi drejt sukseseve të përbashkëta. Birlik ve beraberliğimizin sembolü 23 Nisan Kosova Türkleri Milli Bayramımız Kutlu Olsun!”, ka shkruar Kurti.