Një libër i ri, gjurmon miliardat që qarkullojnë nga luftërat në Lindjen e Mesme
“Making a Killing: How the West Profits from Slaughter in Gaza and Yemen”, libri i ri i bashkëautorëve Andrew Feinstein, Ruth Rohde dhe Jack Cinamon, heton një prej anëve më pak të dukshme të luftërave në Gaza dhe Jemen: fitimet e jashtëzakonshme që gjenerohen nga shkatërrimi.
Libri, i cili pritet të botohet në nëntor, gjurmon atë që autorët e përshkruajnë si rrjedhën e parave nga rrënojat e dy vendeve drejt zyrave të politikanëve, lobistëve dhe drejtuesve të kompanive të armëve.
Hetimi është zhvilluar nga Shadow World Investigations, një organizatë që merret me korrupsionin në industrinë e armatimeve. Projekti nisi në vitin 2017 me fokus luftën në Jemen, por pas nisjes së luftës në Gaza në tetor 2023, autorët e zgjeruan kërkimin për të përfshirë edhe konfliktin atje.
Përfundimi i tyre është tronditës: pas dhjetëra mijëra viktimave dhe shkatërrimit masiv, industria e armëve ka krijuar një ekonomi ku lufta nuk është vetëm tragjedi, por edhe burim fitimi.
Libri sjell edhe dëshmitë e viktimave. Gazetari palestinez Ahmed Alnaouq, autor i “We Are Not Numbers” (Ne nuk jemi shifra), humbi tre breza të familjes së tij në një sulm ajror izraelit në Gaza.
Ai e mori vesh përmes një mesazhi nga një mik: “Sulm ajror. Të gjithë u vranë”. Në vend që ta heshtte, tragjedia e shtyu të kërkonte përgjigjen e një pyetjeje tjetër: kush e vrau familjen e tij dhe kush përfitoi prej kësaj?
Pikërisht kjo pyetje shndërrohet në boshtin e hetimit të autorëve. Përmes historisë së Jemenit, ata dokumentojnë se si konflikti është ushqyer për vite me armë të prodhuara në Perëndim dhe të blera nga Arabia Saudite.
Marrëdhënia mes fuqive perëndimore dhe Riadit, është karakterizuar prej kohësh nga marrëveshje të mëdha armësh, interesa strategjike dhe akuza për korrupsion. Një prej rasteve më të njohura është marrëveshja Al-Yamamah mes Arabisë Saudite dhe Britanisë së Madhe, e lidhur me kompaninë BAE Systems.
Sipas pretendimeve të dokumentuara në libër, deri në 6 miliardë paund u paguan në formën e ryshfeteve dhe dhuratave për anëtarë të familjes mbretërore saudite, ndërmjetës dhe persona të tjerë, përfshirë edhe djalin e Margaret Thatcher.
Autorët theksojnë se tregtia e armëve përbën vetëm një pjesë shumë të vogël të tregtisë globale, por lidhet me një përqindje jashtëzakonisht të lartë të rasteve të korrupsionit.
Marrëveshjet shpesh mbahen larg transparencës publike, ndërsa kompanitë e mëdha të armëve trajtohen në shumë raste si zgjatime të vetë shtetit.
Në këtë sistem, thonë autorët, kufiri mes qeverive dhe industrisë së armatimeve bëhet gjithnjë e më i paqartë. Ish-zyrtarë kalojnë në kompanitë e armëve, lobistët ndikojnë në politikat qeveritare dhe kompanitë përdorin lidhjet politike për të siguruar kontrata të reja.
Në vend që korrupsioni të shihet si një përjashtim, libri e paraqet atë si pjesë të mënyrës se si funksionon sistemi. Sipas autorëve, tregtia e armëve është një nga shtyllat e fuqisë amerikane në Lindjen e Mesme, ku Izraeli dhe Arabia Saudite përfaqësojnë dy pika strategjike të ndikimit amerikan.
Konfliktet në Gaza dhe Jemen, argumentojnë ata, tregojnë kalimin nga epoka e fuqive koloniale evropiane drejt një rendi politik dhe ekonomik të përqendruar te Shtetet e Bashkuara.
Një tjetër pasojë është ajo që njihet si “blowback”. Pra armët dhe mbështetja e dhënë në një konflikt mund të kthehen më vonë kundër vetë fuqive që i kanë furnizuar.
Autorët sjellin shembuj nga Afganistani dhe lufta Iran-Irak për të treguar se si aleatët e dikurshëm mund të shndërrohen shpejt në armiq. Por për industrinë e armëve, destabiliteti nuk është domosdoshmërisht humbje. Ai mund të krijojë tregje të reja.
Libri sjell edhe rastin e Izrael Zivit, ish-drejtuesit të Drejtorisë së Operacioneve të ushtrisë izraelite, i cili përmes kompanisë së tij të sigurisë ishte përfshirë në eksportin e armëve.
Shtetet e Bashkuara e sanksionuan për furnizimin me armë të të dyja palëve në konfliktin e Sudanit të Jugut, ndërsa njëkohësisht përfitonte nga kontrata për trajtimin e krizës humanitare që konflikti kishte krijuar.
Një tjetër figurë e përmendur është ish-kryeministri britanik Tony Blair, i cili mbështeti pushtimin e Irakut dhe më pas ndërtoi një biznes të fuqishëm konsulence. Tani, sipas autorëve, ai është përfshirë edhe në planet për rindërtimin e Gazës.
Ndërsa palestinezët përballen me miliona ton rrënoja, kritikët paralajmërojnë se rindërtimi mund të shndërrohet në një tjetër burim fitimesh për elitat politike dhe korporative.
Studimi vlerëson se fitimet e akumuluara nga shkatërrimi i Gazës arrijnë në rreth 50 miliardë dollarë. Ndërkohë, teknologjitë izraelite të zhvilluara dhe të testuara në fushëbetejë po marketohen në tregjet ndërkombëtare si produkte “të testuara në luftë”, duke u eksportuar në konflikte të tjera dhe në sistemet e mbikëqyrjes.
Edhe bomba që vrau familjen e Alnaouq lidhet me këtë zinxhir. Sipas hetimit, ajo ishte prodhuar nga kompani amerikane si Boeing dhe General Dynamics dhe ishte hedhur nga avionë të prodhuar nga Lockheed Martin, RTX, Northrop Grumman dhe BAE Systems.
Të njëjtat kompani, kanë përjetuar rritje të ndjeshme të vlerës së aksioneve dhe pasuri në rritje të drejtuesve të tyre. Investigimi gjen edhe një lidhje me Jemenin: e njëjti tip bombe mund të jetë përdorur në një sulm ndaj një tregu në Jemen, të dokumentuar nga organizata Mwatana për të Drejtat e Njeriut, ku u vranë rreth 100 civilë, përfshirë 25 fëmijë.
Pra pyetja “kush e prodhoi bombën që vrau familjen time?” bëhet shumë më e gjerë sesa një kërkim individual për përgjegjësi. Sipas autorëve të investigimit, ajo çon te një industri globale ku vdekja dhe shkatërrimi mund të shndërrohen në kontrata, aksione, teknologji dhe miliarda dollarë fitime. \tesheshi








