Ky prototip i Porsche 959 Sport mund të jetë 959-shi më i shpejti ndonjëherë

Një betejë epike e superveturave kishte filluar në fundin e viteve 1980 në mes të Ferrari F40 dhe Porsche 959.

Ferrari konsiderohej si më e orientuar ndaj performancës se sa Porsche, megjithatë ai ekuacion ndryshoi me veturën 959 Sport.

Së fundmi Henry Catchpole kishte mundësinë që të vozisë një Porsche 959 Sport për një episodë të “Driver’s Seat”.

E njohur edhe si F9, është një nga prototipet e para të 959-shit, dhe pa dyshim një nga 959-shat më të shpejtë të ndërtuar ndonjëherë.

Shumica e veturave 959 Sport janë 100 kilogramë më të lehta se veturat 959 Comfort, por që ka spekulime se F9-shi është rreth 200 kilogramë më i lehtë.

Përveç peshës më të lehtë, 959 Sport mori një version më të fuqishëm të motorit me 6 cilindra me turbo dyfishtë, i cili pati një rritje nga 450 kuaj fuqi në 508 kuaj fuqi.

Për shkak të lëvizjes me të gjitha rrotat, performanca ishte mahnitëse edhe për sot, duke përfshirë një shpejtësi prej 0 deri në 100kmh në 3,6 sekonda, dhe arritjen e shpejtësisë prej 160kmh në vetëm 8,3 sekonda, shkruan Motor 1.

Vetura F9 së fundmi ishte listuar për shitje nga Girardo & Co me një çmim të pazbuluar. Zakonisht Porsche 959-shat dalin rrallë herë në shitje, por kur kjo ndodh, ato kanë një çmim prej 1.5 milionë deri në 2 milionë dollarë.

Versionet speciale, sikurse prototipat e rrallë, kushtojnë shumë më tepër, dhe duke parë se kjo veturë është 959-shi më i shpejtë që ka dalë nga linja e prodhimit, F9-shi me të vërtetë është një veturë shumë speciale.