Lajçaku: Me Kurtin u takuam për t’u përgatitur në detaje për takimin e 2 majit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka takuar kryeministrin Albin Kurti për t’u përgatitur për takimin e 2 majit i cili do të mbahet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se java e tij ka filluar dhe ka përfunduar në vendet që sipas tij Ballkani është në krye të agjendës.

Ka shtuar se gjatë qëndrimit të tij në Vjenë ka folur për normalizimin e marrëdhënieve dhe ndikimin në rajonin e gjerë gjatë një paneli diskutimi në Universitetin Webster.

“Me t’u kthyer në Bruksel, pata një nga shkëmbimet e mia të rregullta me socialdemokratët në Parlamentin Evropian, të cilët ndjekin nga afër rajonin dhe rregullisht udhëtojnë dhe ndërveprojnë me Ballkanin. Dhe e mbylla javën time me diell, ku mora pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit në qytetin antik të Delfit. Greqia, si një fqinj i Ballkanit, e njeh dhe e kupton mirë rajonin dhe prandaj forumi i kushtoi vëmendje të veçantë të ardhmes së rajonit. E informova mikun tim të mirë, ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias për zhvillimet e fundit të dialogu. U takova me kryeministrin Albin Kurti për t’u përgatitur në detaje për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë më 2 maj, i cili do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, ai është përsëri në rrugë për në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Këtë herë po shkoj në Bosnje dhe Hercegovinë për t’u takuar me një numër bashkëbiseduesish dhe për të marrë një përshtypje për pikëpamjet, shqetësimet dhe ëndrrat e njerëzve në një vend që është shumë afër zemrës sime”, ka shkruar ai.