LDK e dërgon Agim Veliun të flas me njeriun e Trumpit për koalicionin me VV-në, ai kërkon heqjen e taksës

Delegacioni i LDK-së, është takuar sot me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump.

Përmes një komunikate për media, u bë e ditur se në delegacion ishte nënkryetari, Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Skënder Hyseni, shkruan lajmi.net.

“I Dërguari i Posaçëm i Presidentit Trump, Ambasadori Richard Grenell, u takua sot në Berlin me delegacionin e LDK-së në përbërje të Agim Veliut, nënkryetar i LDK-së dhe Avdullah Hotit e Skender Hysenit, anëtarë të Kryesisë së LDK-së”, thuhet në njoftim.

 Gjatë bisedës, Ambasadori Grenell inkurajoi delegacionin e LDK-së që të ruajë përkushtimin për rend dhe ligj dhe të marrë vendime të cilat e avancojnë dialogun me Serbinë.

Ambasadori Grenell, po ashtu, kërkoi nga delegacioni që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe dhe të përqendrohet në politikat që thellojnë zhvillimin ekonomik dhe krijojnë vende pune për popullin e Kosovës.

Delegacioni i LDK-së e njoftoi Ambasadorin Grenell për përpjekjet që po bëhen për të arritur një marrëveshje për formimin e Qeverisë.