LDK-ja më 1 qershor hyn në zgjedhje të brendshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se më 1 qershor partia të cilën e drejton do të hyjë në zgjedhje të brendshme.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku ka njoftuar se të premten do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm për t’u përgatitur për këto zgjedhje.

Ai njoftoi se procesi zgjedhor do të zhvillohet mbi shtatë parime.

“Sot Kryesia e LDK-së ka marrë vendim të shpallë zgjedhje të brendshme. Për ne ky proces është festë sepse gjithmonë LDK-ja ka besuar në demokraci”, ka thënë Abdixhiku gjatë adresimit të tij për shtyp.

Ai më tej bëri të ditur se nuk ka mospajtime brenda partisë, teksa ka shtuar se po synohet që të ketë prezencë më të madhe të të rinjve në këtë proces zgjedhor dhe që në një nga pozitat e nënkryetarit të jetë një grua.

“S’ka mospajtime brenda partisë. Partia ka qenë më e bashkuar se kurrë. Sot kryesia e LDK-së pa asnjë votë kundër ka aprovuar parimet që i kam prezantuar. Të gjithë janë të interesuar të kemi një proces të hapur dhe me përfshirje të të rinjve dhe grave, si dhe një nga pozitat e nënkryetarit të jetë grua”, ka theksuar ai.

Abdixhiku ka shtuar se është marrë vendim që të hapen katër degë në komunat veriore të Kosovës, të ketë riorganizime në disa prej degëve të partisë nëpër komuna, si dhe të ketë organizim territorial të degëve në mërgatë.