Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media ka thënë se vendimi për rivotim në Komunën e Istogut nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), është në kundërshtim me ankesën e LDK-së.
Sipas tij, ky vendim duhet të anulohet dhe ankesën do ta dërgojnë në Gjykatën Supreme.
“Kemi dërguar ankesë në PZAP në lidhje me keqpërdorimet që kanë ndodhur në komunën e Istogut por ata kanë vendosur jashtë ankesës sonë, sepse nuk kanë anuluar vetëm votat me postë po kanë dhënë vendim për rivotim të kësaj komune. Do të ankohemi në Gjykatën Supreme”, ka thënë Mustafa duke shtuar se nuk i frikësohen rivotimit.
Ai po ashtu tha se për “importim të votave” do të japin përgjegjësi ata që i kanë bërë.
Edhe kandidati për kryetar të Komunës së Istogut, Haki Rugova tha se ka ende dëshmi të tjera ku do të konstatojnë që procesi i votimit në tri qendra është tërësisht i manipuluar.
“Lënda do të shkojë në hetuesi, e ata duhet të konstatojnë manipulimin e votave”, ka thënë Rugova.