Ballina Artikuj Le ta përmbyllim Ramazanin me falje

Le ta përmbyllim Ramazanin me falje

Hoxhë Rufat Sherifi

Që në fillim të Ramazanit e kuptuam se ky muaj i bekuar është një shkollë e pastrimit të shpirtit dhe e mbjelljes së virtyteve të larta, ndër të cilat më të rëndësishmet janë falja dhe toleranca ndaj njerëzve.
Allahu i Madhëruar na udhëzon në Kur’an:
“Le të falin dhe le të tolerojnë! A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë juve?” (En-Nur: 22)
Kjo na mëson se rruga drejt faljes së Allahut kalon përmes faljes së njerëzve. Kush dëshiron që Allahu t’ia falë gabimet, duhet të mësojë të falë edhe gabimet e të tjerëve.
Pejgamberi ﷺ ishte shembulli më i bukur i këtij morali. Ai falte edhe ata që e lëndonin dhe e kthente të keqen me mirësi, duke na treguar se madhështia e besimtarit qëndron në zemrën që fal.
Ndërsa Ramazani po afrohet drejt përfundimit, kjo është koha më e mirë që t’i pastrojmë zemrat nga mllefi dhe armiqësia, të pajtohemi me njëri-tjetrin dhe të falim ata që na kanë bërë padrejtësi.
Le ta përmbyllim Ramazanin duke falur njerëzit, që të arrijmë faljen e Krijuesit të njerëzve.
Sepse ai që fal për hir të Allahut, Allahu ia hap dyert e mëshirës dhe të faljes së Tij.

Hoxhë Rufat Sherifi