Libani: 100 mijë persona të zhvendosur për shkak të sulmeve izraelite

Abdallah Buhabib

Ministri i Jashtëm libanez, Abdallah Buhabib, deklaroi se rreth 100 mijë njerëz u zhvendosën në jug të Libanit për shkak të konflikteve me Izraelin, transmeton Anadolu.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Libanit, Buhabib priti në zyrën e tij në kryeqytetin Bejrut, presidenten e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Kate Forbes dhe delegacionin e saj shoqërues.

Lidhur me situatën e civilëve të prekur nga konfliktet që kanë vazhduar midis ushtrisë izraelite dhe Lëvizjes Hezbollah në jug të Libanit që nga 8 tetori 2023, Buhabib tha: “Përafërsisht 100 mijë njerëz kanë emigruar dhe janë zhvendosur për shkak të sulmeve të Izraelit dhe zhvillimeve të fundit”.

Buhabib theksoi se libanezët e zhvendosur kanë nevojë për të gjitha llojet e ndihmës humanitare nga organizata të tjera, përfshirë Organizatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, gjithsej 86 mijë civilë në jug të Libanit lanë shtëpitë e tyre dhe migruan në zona më të sigurta.

Në përleshjet mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut që nga 8 tetori 2023, vdiqën 181 anëtarë të Hezbollahut dhe 30 civilë libanezë, 6 civilë izraelitë dhe 10 ushtarë izraelitë.