Këshilli i Lartë i Shtetit në Libi ka mirëpritur hyrjen në territorin libian të “Konvojit të Rezistencës” nga Magrebi, duke e cilësuar atë si “një simbol të gjallë të lidhjes së popujve arabë dhe islamikë me kauzën palestineze”.
Të martën, organizatorët e karvanit njoftuan se ai kishte kaluar kufirin nga Tunizia dhe ishte nisur drejt qytetit Zawiya, 51 kilometra në perëndim të Tripolit, për të vijuar më pas rrugën drejt Egjiptit dhe kufirit me Rripin e Gazës.
Në një deklaratë në Facebook, Këshilli shprehu “mirëpritjen e thellë për ardhjen e Konvojit të Rezistencës në tokën libiane, si pjesë e përpjekjeve popullore dhe humanitare për të thyer bllokadën e padrejtë ndaj popullit tonë në Gazë dhe për të forcuar solidaritetin arab me kauzën palestineze”.
Këshilli e cilësoi udhëtimin e konvojit si “një qëndrim praktik kundër okupimit izraelit dhe praktikave çnjerëzore të tij, dhe një simbol të gjallë të lidhjes së kombeve arabe dhe islamike me luftën e popullit palestinez, në mbështetje të qëndresës së Gazës që vazhdon të sakrifikojë në emër të gjithë kombit”.
Në përfundim, Këshilli theksoi se “Libia, si qeveria ashtu edhe populli, do të vazhdojë të mbështesë kauzën e drejtë palestineze. Konvoje të tillë solidariteti janë një mesazh i qartë për komunitetin ndërkombëtar se bllokada është moralisht dhe ligjërisht e papranueshme dhe duhet të marrë fund menjëherë”. /mesazhi





