Liderët evropianë kanë reaguar ashpër ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave tregtare ndaj vendeve evropiane, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj planit të tij për të marrë nën kontroll Groenlandën.
Ambasadorët e Bashkimit Evropian janë dakorduar të intensifikojnë përpjekjet diplomatike për ta bindur Trump që të heqë dorë nga vendosja e tarifave, të cilat mund të arrijnë deri në 25 për qind për tetë vende aleate evropiane.
Presidenti amerikan ka deklaruar se do të ndëshkojë ekonomikisht vendet që kundërshtojnë synimin e tij për të marrë territorin autonom, i cili i përket Danimarkës.
Zyrtarët e BE-së kanë bërë të ditur se, nëse tarifat zbatohen, Unioni Evropian është duke përgatitur masa hakmarrëse për të mbrojtur interesat e tij ekonomike.
Nga Londra raportohet se tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës po rriten, ndërsa diplomatët paralajmërojnë se një luftë tregtare do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet transatlantike dhe ekonominë globale. /mesazhi








