Liderët globalë miratojnë reformën e taksave ndërkombëtare

Krerët e shteteve dhe qeverive të G20-s kanë miratuar marrëveshjen historike për një reformë të taksave ndërkombëtare, që synon t’i japë fund parajsave fiskale duke vendosur një taksë minimale globale prej 15 për qind mbi fitimet e kompanive shumëkombësheve.

“Sot, të gjithë krerët e shteteve të G20-s miratuan një marrëveshje historike mbi rregullat e reja ndërkombëtare të taksave, duke përfshirë një taksë minimale globale, që do t’i japë fund garës për taksimin e korporatave”, tha në një deklaratë Sekretarja amerikanë e Thesarit, Janet Yellen.

Ky miratim do të zyrtarizohet në deklaratën përfundimtare për shtyp të G20-s sot, sipas disa burimeve pranë negociatave në Romë.

Kjo marrëveshje u përfundua në fillim të tetorit, nën kujdesin e OECD-së, nga 136 vende, që përfaqësojnë më shumë se 90 për qind të PBB-së botërore.

Reforma pritet t’u mundësojë këtyre vendeve të gjenerojnë rreth 150 miliardë dollarë të ardhura shtesë në vit falë kësaj takse minimale. /atsh