Lideri i Koresë së Veriut “i pasigurt nëse mund t’i besojë SHBA-së”

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ka deklaruar se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, dëshiron një samit “të suksesshëm” me preisidentin amerikan, por ai ende nuk është i bindur se në të vërtetë mund t’i besojë Washingtonit për të mbështetur një marrëveshje potenciale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Moon Jae-in komentet i bëri në një brifing pas bisedimeve të papritura kufitare një ditë më parë me Kim Jong-un, takim i dytë i tyre brenda një muaji dhe i katërti ndërkorean që nga viti 2000 e këndej.

“Kryetari Kim Jong-un dje edhe njëherë qartë ka konfirmuar se angazhimi i tij për të përfunduar denuklearizimin mbetet i fortë. Ajo që mbetet e pasigurtë për kryetarin Kim Jong-un është nëse ai mund t’i besojë premtimit të SHBA-së për t’i mbyllur marrëdhëniet e tyre armiqësore dhe për të garantuar sigurinë e Koresë së Veriut pasi që Veriu të denuklearizohet”, tha Moon në komentet e dhëna për agjencinë e lajmeve Yonhap.

Udhëheqësit koreanë ranë dakord të vazhdojnë paqen dhe denuklearizimin gjatë samitit të tyre të 27 prillit, i cili erdhi pas disa muajsh retorikë agresive midis Phenianit dhe Washingtonit.

Por, bisedimet e planifikuara Trump-Kim më 12 qershor në Singapor pothuajse u prishën javën e kaluar kur regjimi i Koresë së Veriut u kthye në kërcënime lufte, me sa duket për shkak të një mosmarrëveshjeje me SHBA-në lidhur me insistimin e kësaj të fundit për denuklearizimin e plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të Phenianit.

Një deklaratë tjetër pajtuese e së premtes së kaluar nga Koreja e Veriut bëri që Trump të kthejë mbrapsht anulimin e tij publik të samitit të planifikuar të Singaporit vetëm një ditë më parë.

Megjithatë, Moon paralajmëroi se Koreja e Veriut dhe SHBA duhet të gjejnë ende mirëkuptim.

“Unë besoj se nëse Samiti i Koresë së Veriut më 12 qershor do të ndërpritet ose do të ketë sukses, varet se sa me sukses përfundojnë negociatat e tyre mbi nivelin e punës”, citohet të ketë thënë Moon.