Lideri i opozitës izraelite Avigdor Liberman paralajmëroi të enjten se kryeministri Benjamin Netanyahu po e tërheq vendin drejt “luftës civile” në një përpjekje për të qëndruar në pushtet, transmeton Anadolu.
“Qeveria (e Benjamin Netanyahu) po e tërheq shtetin e Izraelit në një luftë civile – vetëm për që qëndruar në pushtet edhe për disa ditë të tjera”, shkroi Liberman, kryetar i partisë opozitare Yisrael Beiteinu, në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi mijëra hebrenj ultra-ortodoksë (Haredim) morën pjesë në autokolona automjetesh nga 19 qytete drejt Burgut Ushtarak Nr. 10 në Kfar Yona, për të protestuar kundër ndalimit të shmangësve të rregullt Haredim nga shërbimi ushtarak.
Liberman, një ish-ministër i mbrojtjes, postoi një foto që tregon një oficer policie të rrethuar nga një turmë e madhe protestuesish Haredi.
“Pamjet që pamë dje janë një turp kombëtar. Një oficer policie që lutet për jetën e tij përpara një turme rebele është një rezultat i drejtpërdrejtë i qeverisë evazive, e cila ofron mbështetje për shmangësit dhe gërryen sundimin e ligjit,” tha ai.
Haredimët përbëjnë rreth 13 për qind të popullsisë së Izraelit prej më shumë se 10 milionë banorësh dhe prej kohësh kanë kërkuar përjashtimin nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, duke argumentuar se i përkushtohen studimit të Torës.
Në qershor 2024, Gjykata e Lartë e Izraelit vendosi që burrat Haredi t’i nënshtrohen shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe urdhëroi pezullimin e financimit shtetëror për institucionet fetare, studentët e të cilëve refuzojnë rekrutimin.
Netanyahu arriti mirëkuptim të martën me liderët e partive Haredi për të vonuar një votim për shpërndarjen e Knesset-it në këmbim të avancimit të legjislacionit që ata mbështesin, duke përfshirë një projekt-ligj që përjashton Haredimin nga shërbimi ushtarak dhe parandalon arrestimin e shmangësve të mobilizimit, sipas raporteve të mediave izraelite.
Opozita thotë se Netanyahu po kërkon të shmangë zgjedhjet e parakohshme përpara se mandati i Knesset-it aktual të përfundojë në tetor.



