Lideri laburist i Anglisë, Corbyn akuzohet për lidhje me organizaten teroriste PKK

Lideri i partisë kryesore të opozitës në Britani të Madhe, Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn është akuzuar nga e përditshmja “The Times” se ka lidhje me një rrjet i cili lobon në favor të organizatës terroriste PKK, e cila së fundmi është përgjegjëse për vrasjen e 44 njerëzve në një sulm të dyfishtë me bombë në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

“Corbyn dhe Kate Osamor, që është sekretare për zhvillimin ndërkombëtar, që vepron në hije, janë padronë të fushatës ‘Paqe në Kurdistan’ që drejtohet nga një grup që ka lidhje me PKK-në”, thuhet në artikull.

Në artikullin e publikuar të shtunën, The Times shkruan se edhe “Unison”, një union që ka lidhje me Laburistët është gjithashtu i përfshirë në fushatë.

Gazeta ka akuzuar Corbynin dhe Osamorin se janë anëtarë aktiv të grupit “Paqe në Kurdistan” i cili siç duket ka përdorur pozitën e vet politike për të mbështetur axhendën e grupit.

Më herët Corbyn kishte parashtruar për debat në Dhomën e Përfaqësuesve një mocion i cili kërkonte heqjen e PKK-së nga lista e organizatave terroriste, në të cilën gjendet që nga viti 2001.

Në prill të këtij viti, Osamor organizoi një event në Dhomën e Përfaqësuesve me titull “Liri për (lideri i PKK-së) Abdullah Ocalanin”.

Anadolu Agency tentoi të marrë një reagim nga zyra e Corbynit lidhur me akuzat, por deri në kohën e përpilimit të tekstit ka patur përgjigje.

Mbulimi politik nga e Majta në Britani të Madhe

Duke folur për AA në lidhje me PKK-në dhe vendin e saj në Britani, këshilltari i Lartë në Fondacionin për Besim të Tony Blairit, Ed Hussain, tha se prirjet marksiste të grupit terrorist marrin mbështetje nga e majta politike.

“Në mendjet tona terrorizmi është Al-Kaeda ose ISIS (DEASH). Imagjinata jonë nuk përfshinë PKK-në si një element terrorist i cili kërcënon aleatin tonë Turqinë. Natyra marksiste e PKK-së do të thotë se ajo gëzon mbështetje politike nga e majta politike në Britani, përfshirë edhe udhëheqësin e Laburistëve, Jeremy Corbyn”, tha Hussain.

Më 12 dhjetor 2016, 44 persona, shumica policë, u vranë dhe së paku 155 të tjerë mbetën të plagosur gjatë një sulmi të dyfishtë më bomba në Stamboll.

Organizata TAK (Skifterët për Liri të Kurdistanit) që është një nëndegë e PKK-së ka marrë përgjegjësinë për sulmet.