Limaj për vendimin e Kushtetueses: Ftoj partnerët e koalicionit të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm

Kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate njëherësh udhëheqës i delegacionit për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur jolegjitim delegacionin negocioues, pritet që të ndërmerren hapa të tjerë, njofton Klan Kosova.

“Siç e dini, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka pasur lëvizje të reja. Bashkëdrejtuesit e ekipit negociator kanë dhënë dorëheqje. Ky është një fillim i ri pas vendimit”.

“Gjykata kushtetuese e ka analizuar tekstin e ligjit ndërsa delegacioni është krijuar me vendim të parlamentit si i mandatuar politikisht për të negociuar me Serbinë”.

“Ftoj partnerët e koalicionit për t’i dhënë zgjidhje situatës së fundit dhe të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm. Ne si Nismë dhe unë personalisht, do të marrim vendimin e duhur. Ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme në bisedimet me Serbinë. Kam qenë nga dita e parë dhe jam edhe tani i bindur që politika kosovare duhet të ketë unitet”, tha Limaj gjatë një konference për media.

Ai tha se inatet personale duhet të lihen anash dhe të ketë vullnet politik për t’ia sjellë Kosovës një marrëveshje sa më të favorshme për vendin në raport me Serbinë.