Litari i botës dhe drejtësisë

Prof. dr. Ferid Muhiq

 

Abrahami u afrua dhe tha: “Vallë, as Gjykatësi i kësaj bote të mos gjykojë drejtë?”
Rabini Levi tha: “Nëse lutesh për botën – nuk ka drejtësi, nëse lutesh për drejtësi – nuk ka botë. E kap litarin nga të dy skajet, lutesh për botën dhe lutesh për drejtësi. Njëri prej tyre do të jetë i mirë për ty. Nga tjetri duhet të heqësh dorë.” (Citat nga Talmudi)

“Nuk do të marrin më ujë. Nuk do të marrin më ushqim. Nuk do të marrin më rrymë. Nuk do të marrin më gaz. Sepse ata janë kafshë në formë njeriu dhe duhen vrarë”. Këto fjalë janë thënë në Kneset, Parlamenti i shtetit të Izraelit. Para ca ditëve. Nga ato fjalë nuk fliste urrejtja fetare, po urrejtja shtazarake. Kafshët në formë njeriu janë 2.2 milionë palestinezë, të cilët që nga viti 1949 jetojnë në burgun më të madh në botë, i njohur si Rripi i Gazës. Sa për krahasim, sipërfaqja e Komunës së Podgoricës është pothuajse katër herë më e madhe dhe mbulon rreth 1500 km2. Të mbyllur në atë kafaz, palestinezët nuk kanë ku të ikin. Do të mjaftonte të privohen nga uji, ushqimi, rryma dhe gazi, në mënyrë që gjysma e tyre të vdesin brenda një jave. Por, për skifterët e Knesetit, kjo do të nënkuptonte privimin e tyre nga kënaqësia për të shfryer urrejtjen e tyre shtazarake ndaj këtyre kafshëve në formë njeriu.
Mirëpo, për të satën herë u vërtetua se në robëri, madje edhe sikur ajo të zgjat 74 vjet, njerëzit nuk bëhen kafshë, por mbeten gjithmonë – njerëz. Të zemëruar, të tërbuar, të dëshpëruar – po – por njerëz! Pritën, besuan, shpresuan, përjetuan shumë padrejtësi dhe gëlltitën dhimbjen e masakrës së nënave, baballarëve, gjyshërve dhe fëmijëve të tyre, madje edhe ato më të rëndat në Sabra e Shatila. Negociuan dhe u morën vesh, besuan në atë që ishin marrë vesh edhe pasi ajo u shkel me dhjetëra herë. Shikuan se si për dekada në mënyrë sistematike i dëbojnë nga vatrat e tyre jashtë Rripit të Gazës, të njëjtit ata që i futën në burgun e quajtur Gaza; dhe se si atje, në tokën e rrëmbyer, palodhshëm i ndërtojnë vendbanimet e tyre, përkundër të gjitha konventave të OKB-së, të cilat rreptësisht e ndalojnë këtë. Dhe shpresuan, u mbështetën në sabër, në durim. Doli se pala tjetër, të gjitha të ashtuquajturat “negociata për paqe” i ka trajtuar gjithmonë si negociata për dorëzimin e tyre të plotë kapitullues, me një fjalë, heqje dorë nga ideja e lirisë. Por, mu nga kjo ide ata nuk donin të hiqnin dorë, sepse heqja dorë nga liria do të thoshte heqje dorë nga thelbi i tyre njerëzor. Ata zgjodhën të mbeten njerëz. Pushuan së frikësuari nga vdekja dhe e ndjenë se u bënë të lirë. Pushuan së frikësuari, sepse aty ku mbaron frika, fillon liria.
Me vetëdije e lëshuan nga dora atë skaj të litarit në të cilin është bota. Skajin, të cilin edhe ashtu askush nuk e ka mbajtur përgjithmonë në duart e veta dhe të cilin, herët a vonë, secili do ta lëshojë prej dore. Dhe u kapën fort për skajin e litarit ku është drejtësia. Për të jetuar si njerëz – me dinjitet dhe të lirë. Ashtu si na ka lënë të zgjedhim Gjykatësi i kësaj bote, dhe kështu të përcaktojmë vendin tonë në botën tjetër.

 

Prof. dr. Ferid Muhiq