Liverpool merr tri pikë të arta ndaj Southampton, mban gjallë shpresën për titullin

Skuadra e Liverpool ka arritur që me shumë mund të marrë tri pikë në ndeshjen që e luajti në udhëtim kundër Southampton, duke fituar me rezultatin 1:3.

Lojtarët e Jurgen Klopp nuk e nisën siç është më së miri këtë takim, duke pasur shumë vështirësi për të qarkulluar topin.

Southampton ushtroi një presion të madh, dhe u deshën vetëm 9 minuta lojë që Liverpool ta gjente vetën në disavantazh, shkruan lajmi.net.

Ishte qendër sulmuesi Shane Long i cili shfrytëzoi për mrekulli një situatë në zonën e Liverpool, për  të shkundur rrjetën e Alisson.

Megjithatë, po në pjesën e parë, ‘The Reds’arritën që të barazojnë rezultatin, me anë të Naby Keita, në minutën e 36’, shkruan lajmi.net.

Liverpool vuajti shumë për të gjetur golin e avantazhit. Ishte një kundërsulm i rrjedhshëm i minutës së 80’ të cilin për mrekulli e finalizoi Mohamed Salah, për epërsinë e parë të Liverpool.

Vulën për fitoren e skuadrës së Jurgen Klopp e dha kapiteni Jordan Henderson, i cili realizoi në minutën e 86’.

Me këtë fitore, Liverpool kthehet përkohësisht në vendin e parë në tabelë, me 82 pikë, dy më shumë sesa Manchester City, por duhet kujtuar se ‘Citizens’ kanë një ndeshje më pak të luajtur.