Liverpooli i tregon Cityt se në Anfield sheikët janë vetëm spektatorë

Liverpooli është me një këmbë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për sezonin 2017/18 pas fitores ndaj Manchester Cityt në ndeshjen e parë çerekfinale.

Reds e fituan ndeshjen e parë në Anfield me rezultat 3-0, duke mos i lënë mysafirët të gjuajnë as edhe një herë në portë.

City që nga ardhja e Pep Guardiolas ka shpenzuar milionat në mbrojte, sikur klubi anglez të ishte shtet, ata do të kishin shpenzuar në mbrojte më shumë se 52 vende tjera.

Salah duke e festuar golin ndaj Cityt (Foto: Liverpool FC/Twitter)
Por, as 250 milionë eurot e shpenzuar nuk mund të ndalin Mohamed Salah, ‘Mbreti Egjiptian’ shënoi në minutën e 12-të pas asistimit.

Në minutën e 21-të Alex Oxlade-Chamberlain me një gol të bukur nga distanca i tregoi të gjithëve se kjo do të jetë një nata fantastike për Reds.

Goli i qetësisë u shënua nga Sadio Mane (31′) pas asistimit të bukur nga Salah dhe me rezultatin 3-0 përfunduan 45 minutat e parë.

Në të dytën nuk kishte gola, Liverpool kishte luksin dhe kështu u tërhoqën në mbrojte, kurse City me disa tentime, por që në fund nuk arritën të tundin rrjetën kundërshtare asnjëherë.

Ndeshja e kthimit luhet me 10 prill në Etihad.