Llava e vullkanit në ishullin La Palma, Spanjë ka arritur në oqean, një situatë e frikshme kur mendon për gazin toksik që krijohet.
Shkëmbi i shkrirë arriti në oqean të martën në mbrëmje, dhjetë ditë pasi vullkani Cumbre Vieja shpërtheu në ishull.
Ky takim midis llavës, një shkëmbi të shkrirë në më shumë se 1.000 gradë Celsius dhe ujit të detit që është rreth 20-25 gradë Celsius, është i rrezikshëm kryesisht prej prodhimit të gazit toksik dhe grimcave të dëmshme.
Imazhet e transmetuara nga televizioni rajonal në Ishujt Kanarie, një arkipelag spanjoll në brigjet veriperëndimore të Afrikës, treguan llavën që hynte në ujë mes një sasie të madhe tymi.
Vullkani Cumbre Vieja shpërtheu më 19 shtator.
Të martën pasdite, llava ishte ende rreth 800 metra larg nga deti, duke e bërë të pamundur të parashikohet se kur do të arrinte në oqean.
Të hënën, banorëve të disa lagjeve në Tazacorte, një fshat i vendosur pranë bregdetit, iu tha të qëndronin brenda për të mbrojtur veten nga emetimet e mundshme të gazit toksik që mund të vinin si pasojë e takimit të llavës me ujin e oqeanit.
Grumbullimi i hirit ka prishur gjithashtu trafikun ajror, duke shkaktuar anulimin e shtatë fluturimeve të brendshme të planifikuara të premten dhe mbylljen e aeroportit të nesërmen. Edhe pse është rihapur zyrtarisht, fluturimet mbeten të pezulluara për momentin.
Ekspertët besojnë se shpërthimi mund të zgjasë për disa javë apo edhe muaj.
Dy shpërthimet e mëparshme në La Palma ndodhën në 1949 dhe 1971. Ato shkaktuan gjithsej tre vdekje, dy prej të cilave u shkaktuan nga thithja e gazit toksik. /euronews