Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Luftënxitësit në SHBA duhet të japin llogari morale dhe ligjore

Luftënxitësit në SHBA duhet të japin llogari morale dhe ligjore

Nga gabimet e historisë te “profetët” e dështuar të politikës së jashtme amerikane

Shtetet e Bashkuara mbeten një fuqi e madhe në shumë fusha, por dështojnë vazhdimisht në vendosjen e elitave para llogaridhënies morale por edhe ligjore.

Sipas një analize të fundit në Foreign Policy, ky model mosndëshkimi – nga falja e Richard Nixon-it deri te mungesa e ndjekjes penale për hartuesit e torturës dhe arkitektët e luftërave në Vietnam e Irak- ka krijuar një mjedis ku gabimet katastrofike strategjike nuk kanë pasur pasoja për ata që i promovuan ato.

Autori Stephen M.Walt argumenton se kjo histori po përsëritet me konfliktin në Iran. Ndërsa bota pret të shohë nëse armëpushimi i vitit 2026 do të zgjasë, dëmi është tashmë i dukshëm: çmimet e naftës janë rritur, inflacioni po ashtu, teksa Irani ka dalë më i fortë politikisht e ekonomikisht, megjithatë, ata që e shtruan rrugën drejt këtij konflikti mbeten pjesë e respektuar e establishmentit.

Në shkrimin e tij për Foreign Policy, autori shpjegon se luftërat nuk lindin nga hiçi, por përgatiten nga një rrjet ekspertësh, lobistësh dhe këshilltarësh që “normalizojnë” përdorimin e forcës përmes një formule ku armiku demonizohet, fushata premtohet të jetë “e shpejtë dhe e lirë”, ndërsa injorohen pasojat njerëzore dhe rreziqet afatgjata.

Walt identifikon disa nga figurat kyçe që legjitimuan këtë rrugë, duke përfshirë Bret Stephens dhe Matthew Kroenig, të cilët kanë bërë thirrje për goditjen e Iranit për më shumë se një dekadë duke u mbështetur në supozime optimiste që doli të ishin krejtësisht të gabuara.

Por edhe institucione si Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve (AEI) dhe Niall Ferguson, i cili premtoi se lufta nuk do të zgjasë shumë. Një pikë qendrore që thekson Foreign Policy është roli i organizatave si Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), i cili shtyu administratën drejt braktisjes së marrëveshjes bërthamore, duke e bërë përplasjen ushtarake të pashmangshme.

Ndërkohë figura si John Bolton ndihmuan në krijimin e klimës që e bëri luftën të dukej si “opsioni i vetëm”. Stephen M.Walt sqaron se llogaridhënia nuk nënkupton domosdoshmërisht shtypjen e lirisë së fjalës.

Por ai këmbëngul se shoqëria duhet të fokusohet te vendosjen e elitave para llogaridhënies morale por edhe ligjore kur këshillat e tyre sjellin dështime të tilla. Ai thekson se kur dikush merr të njëjtat rezultate të këqija çdo herë dhe nuk mëson kurrë, është koha të kërkojmë diku tjetër për udhëzime e këshilla.

Sepse suksesi i politikës së jashtme amerikane varet nga aftësia për të dëgjuar zëra të rinj dhe për t’i trajtuar “profetët e dështuar” me skepticizmin që meritojnë.

Nëse amerikanët duan të ndalojnë përsëritjen e të njëjtave tragjedi, ata duhet të fillojnë duke mbajtur shënim se kush i çoi drejt tyre dhe duke kërkuar vendosjen e elitave para llogaridhënies morale por edhe ligjore, në vend që t’u kërkojnë më këshilla të njëjtëve individë që shndërruan parashikimet e tyre në katastrofa strategjike që dëmtojnë sigurinë kombëtare dhe ekonominë globale. /tesheshi