Lukashenko: Marrëdhëniet e Bjellorusisë me Ukrainën dhe Evropën do të normalizohen

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha se marrëdhëniet e vendit të tij me Ukrainën do të normalizohen dhe Evropa do të hapet herët apo vonë ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, transmeton Anadolu.

Në fjalimin që e mbajti gjatë pritjes së kryebashkiakut të Moskës Sergey Sobyanin, Lukashenko tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e Moskës për popullin bjellorus. Duke thënë se shumë njerëz nga vendi i tij kanë shkuar në Moskë për natën e Vitit të Ri, Lukashenko tha se lidhja rrugore e qytetit Brest nëpërmjet Minskut është e rëndësishme për popullin e Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës.

“Unë mendoj se herët a vonë Evropa do të hapet ndaj nesh. Evropa nuk mund të ekzistojë pa Rusinë, nuk mund të ekzistojë pa ne (Bjellorusinë). Prandaj kemi nevojë për autostrada të mira. Dhe në mënyrë që bjellorusët të mund të shkojnë dhe të vijnë shpejt në Moskë”, deklaroi Lukashenko.

Ai tha derisa kryeqytetet e Rusisë dhe Bjellorusisë janë të lidhura me autostrada të mira, nuk duhet të harrohet as Shën Petersburgu. “Mendoj se me kalimin e kohës Kievi do të punojë me qetësi me ne. Në fund të fundit, ne jemi njerëz. Çdo gjë mund të ndodhë në jetë. Por, ne mendojmë se mund të normalizojmë marrëdhëniet tona me ta”, tha Lukashenko.

Duke kujtuar se ka zhvilluar vizitë zyrtare në Oman dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Lukashenko tha se së shpejti do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin dhe do të zhvillojë një vizitë edhe në Kinë.

– Lukashenko sërish kandidat në zgjedhjet presidenciale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bjellorusi njoftoi se kandidimi i Lukashenkos për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 26 janar 2025 është pranuar.

Komisioni njoftoi se janë pranuar edhe kandidaturat e kreut të Partisë Liberal Demokratike Bjelloruse, Oleg Gaidukevich, kreut të Partisë Republikane të Drejtësisë dhe Punës, Alexander Khizhnyak dhe Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bjelloruse, Sergej Sirankov.