Maas: Po bisedojmë me Turqinë dhe SHBA-në për aeroportin në Kabul

Heiko Maas

Gjermania deklaroi se janë duke zhvilluar bisedime me Turqinë dhe SHBA-në në mënyrë që Aeroporti i Kabulit të mund të vazhdojë operacionet e evakuimit ushtarak me aktivitetet e aviacionit civil.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, në një deklaratë të bërë në Berlin, theksoi rëndësinë që Aeroporti i Kabulit të vazhdojë aktivitetet e tij edhe pas datës së tërheqjes së trupave amerikane më 31 gusht.

“Ne jemi duke biseduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqinë dhe vendet e tjera për vazhdimin e operacioneve në Aeroportin e Kabulit. Kjo çështje kërkon gjithashtu bisedime me talibanët para tërheqjes së forcave amerikane”, tha ai.

Kryediplomati gjerman tha se ai bisedoi edhe me ministrat e jashtëm të Pakistanit, Indisë, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit.

“Ne do t’i sigurojmë viza personelit vendas që mund të kalojë në këto vende më shpejt dhe më lehtë. Ne do të sigurojmë lejen e qëndrimit për të gjithë punonjësit vendas dhe persona të tjerë të rrezikuar në listat tona”, tha ministri Maas.

Maas shtoi se do të rrisin kapacitetin e departamenteve të vizave në Islamabad, Nju-Delhi dhe Tashkent. /trt